Luhej në Klivlend dhe po shkonte keq. Kavaliersët ishin fare pranë humbjes pasi Indiana Pejsërsi barazoi rezultatin dhe po sulmonte në momentet e fundit. Viktor Oladipo u duk se shënoi kur kishin mbetur edhe 3 sekonda, por papritur një dorë e madhe e ndaloi topin të shkonte drejt koshit. Ishte dora e Lebron Xhejmsit, dhe në ato 3 sekonda, numri 23 bëri dy driblime, e pastaj lëshoi një gjuajte për 3 pikë nga e majta. “Bang” thonë komentatorët e NBA-së, pra topi përfundoi në kosh e Klivlendi fitoi 98-95 për të marrë epërsinë 3-2 në raundin e parë të plej ofit.
Lebron ia ka dalë edhe disa herë të tjera gjatë plej ofit të shënojë kosha vendimtarë në sekondën e fundit, një “mposhtje e sirenës” siç e quajnë në zhargonin e basketbollit amerikan.
E bëri në 10 maj 2015 duke i dhënë fitoren Klivlendit ndaj Çikagos sërish me një tripikësh në sekondat e fundit (86-84), e bëri në 22 maj 2013 për fitoren e Majemit ndaj Indianës (sërish?!) me një gjuajtje për 2 pikë, për suksesin 103-102. Për herë të parë ia doli në 22 maj 2009 për Klivlendin në suksesin ndaj Orlandos. Ky është Lebron Xhejmsi, njeriu që po përpiqet të bëhet numri 1 i historisë, më i madh sesa Majkëll Xhordani apo Bill Rasëlli.
Sfidanti.al