Lebron edhe mund të pushojë kur ka Irvingun e Lovin!

Me një treshe të tillë Klivlendi ngjan me Boston Sëlltiksin kur luanin Lerri Bërd, Kevin Mekhejl e Robert Parish. Sot, emrat janë Lebron Xhejms, Kajri Irving e Kevin Lov. Një mozaik i krijuar për disa vjet, që kur këta lojtarë u bënë bashkë, dhe kur mësuan të luanin siç duhet bashkë. Treshja dha një provë të forcës së saj në një nga ato ndeshje që kundërshtari i bën të vështira. Ishte pikërisht Bostoni që thuajse shkaktoi të papriturën në Klivlend, duke përfituar edhe nga një “çtendosje” e Lebronit.

Kavaliers fitoi 124-118 në një ndeshje ku mbrojtjet nuk hynë shumë në punë. Lebron vendosi të pushonte pak dhe shënoi vetëm 23 pikë, por sërish kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 11 asistë, duke vjedhur një top dhe duke bllokuar 3 gjuajtje të Sëlltiksave. Irving shënoi 32 pikë, dhe dha 12 asistë, ndërsa Lov shënoi 30 pikë e kapi 15 topa në tabela. Kjo mjaftoi për të mundur një Boston që luajti shumë mirë. Klivlendi ndonjëherë duket sikur nuk është ekipi kampion i NBA-së, por Kavaliers kanë një veti që i dallon: Dinë të ngrenë nivelin atëherë kur duhet.

Sfidanti.al