Nuk ka fitore më të bukur sesa ajo që arrihet në fushën e rivalit direkt dhe skuadrës më të mirë të sezonit deri në këtë moment. Këtë bëri Golden Stejti që ia doli në Arenën e Feniksit, në një përballje të shkëlqyer të NBA-së, që përfundoi 116-107 për miqtë. Ishte fitore për Krishtlindjet ku Stefën Kërri vazhdoi javën e tij të mrekullueshme duke shënuar 33 pikë, plus 4 topa në tabela, 6 asistë, 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, ndërsa e humbi vetë vetëm një herë topin. Oto Porter shënoi 19 pikë, Drejmond Grin shtoi 8 pikë, 8 topa në tabela, 10 asistë e 3 bllokime topi, e po ashtu Pejton pati 14 pikë dhe Bjelica 10. Feniksi nuk ishte në mbrëmjen e tij, pasi Buker shënoi vetëm 13 pikë, i mbuluar fort, ndërsa Kris Pol pati 21 pikë e 8 asistë, por nuk mjaftoi. Golden Stejti dhe Feniksi kanë bilancin më të mirë deri tani në NBA, Uorriorsët kanë 27 fitore e 6 humbje, ndërsa Sansët kanë 26 fitore e 6 humbje.
Sfidanti.al