Karmelo Entoni, “ylli i paoksidueshëm” i basketbollit amerikan!

Pritej tjetër përfundim në “Medison Skuer Garden”. Vendasit e Nju Jorkut nuk i jepnin arsye për optimizëm as tifozët më të zjarrtë, sidomos pasi Arenën e shquar e vizitonte San Antonio Spërs. Statistikat, megjithatë, mbetën thjesht numra, në këtë përballje pasi një emër i madh vendosi të nxirrte të gënjeshtërt çdo parashikim.

Karmelo Entoni, një nga më të mirët e viteve të fundit, udhëhoqi Nju Jorkun ndaj ekipit të dytë më të mirë të NBA-së këtë edicion, dhe sfida në qytetin më të famshëm të botës përfundoi 94-90 për vendasit. Entoni 32-vjeçar shënoi 25 pikë dhe kapi 7 topa në tabela, dhe në përfundim erdhi fitorja më e madhe e sezonit. Me pikët e shënuara, ai kaloi Çarls Barklin, dhe është tani ndër 25 shënuesit më të mirë të NBA-së në të gjitha kohët.

Tri herë kampioni olimpik me Shtetet e Bashkuara, u ndihmua nga gjigandi letonez Kristaps Porzingis, që shënoi 16 pikë, kapi 7 topa në tabela dhe bllokoi katër gjuajtje të kundërshtarit. San Antonio nuk mundi ta shfrytëzonte formën e mirë të Leonardit, që realizoi 36 pikë, por që u duk i vetmuar. Gjithsesi, vendi i dytë në Konferencën Perëndimore nuk rrezikohet, ndërsa Nju Jorku do të ketë ende shumë punë që të kualifikohet për në plej of.

Sfidanti.al