Gjysma e parë e sezonit në vazhdim ishte ndoshta më i miri në karrierën e Mario Balotelit. Sulmuesi i njohur për natyrën e tij të vështirë, kurrë nuk kishte mundur të ishte aq ndikues në skuadrat ku kishte luajtur më parë, sa po tregohej për Nisën.
Falë edhe 11 golave të tij, por edhe personalitetit në fushë, ish-lojtari i Italisë ndihmoi skuadrën e vogël që të mbante vendin e parë në renditjen e Ligës së Parë të Francës. Pas pushimit dimëror, duket se gjërat nuk janë më ashtu.
Një kritikë e fortë për Balotelin ka ardhur nga brenda skuadrës, pas barazimit 2-2 të Nisës në fushën e Renës, rezultat që e la ekipin e Francës së Jugut në vendin e tretë, 5 pikë prapa Monakos që kryeson. Valentin Eiserik shigjetoi SuperMarion duke thënë se “duket se ai nuk ka të bëjë aspak me ne”.
Zemërimi i Eiserikut erdhi pasi Baloteli vendosi të mos luante në ndeshjen ndaj Renës për shkak të simptomave të gripit, diçka që nuk mund të ishte një arsye e fortë për asnjë profesionist. Eiserik e kishte kritikuar edhe më parë italianian, ndërsa theksoi se “më vjen keq për fjalët e mia, por unë jam i ndershëm dhe them të vërtetën”. “Është mëkat që ai e ka ulur ritmin edhe në stërvitje, diçka që ne e shohim për ditë, – vazhdoi ai, – më vjen shumë keq, pasi ai është një lojtar i madh”.