Paradoksi i kombëtares, miqësore pas dhe jo përpara Italisë

Kombëtarja shqiptare mund të luajë një ndeshje miqësore pas takimit ndaj Italisë në eleminatoret e Botërorit. Burime nga Federata bëjnë me dijë se është vetë trajneri Xhani De Biazi që e ka kërkuar diçka të tillë nga presidenti Duka, në mënyrë që të provojë sa më shumë lojtarët që do të ketë në dispozicion.

Paradoksi duket i plotë duke pasur parasysh se kombëtarja nuk ka luajtur asnjë ndeshje përgatitore pas humbjes me Izraelin (0-3 në Botëror), dhe nuk do të zhvillojë deri kur të vijë dita e përballjes me të Kaltërit në stadiumin “Renco Barbera” në Siçili.

Miqësorja mund të luhet në 28 mars, katër ditë pas sfidës në Palermo ndaj Italisë, ndërsa ende pritet të dihet se cili do të jetë emri i kundërshtarit. Një rival i mundshëm është Bosnjë-Hercegovina, pasi vetë trajneri i saj e pohoi një gjë të tillë. Mehmed Bazhdareviç u shpreh për mediat e vendit të tij se Bosnja ka kërkesë për miqësore nga Shqipëria, Austria dhe Çekia. Gjithsesi, besohet se Federata Shqiptare është në bisedime edhe me vende të tjera europiane.