Nëse nuk do të ndodhte, nuk do të kishte shpresë, dhe njerëzimi nuk do të ecte përpara. Suksesi, edhe pse shkon me më të fortët shumicën e kohës, nuk i përket vetëm dikujt, por mund ta arrijnë edhe të tjerët. Toronto Raptors u kualifikua për herë të parë në histori në finalet e NBA-së, pasi fitoi përsëri ndaj Miluokit.
Ishte thuajse një mrekulli, pasi kanadezët nuk e kishin avantazhin e fushës, dhe pësuan humbje në dy ndeshjet e para në Miluoki. Menjëherë pas kësaj, ata reaguan fuqishëm dhe fituan katër herë po radhazi, duke i dhënë fund me sukses finaleve të Konferencës, e duke u shpallur po për herë të parë kampionë në Lindje.
Koui Leonard shkëlqeu si një yll i madh, duke udhëhequr ekipin me 27 pikë, 17 topa në tabela e 7 asistë. Edhe pse pjesërisht i dëmtuar, ai ishte më i miri në fushë, ndërsa shtoi edhe 2 vjedhje topi, e dy bllokime gjuajtjesh. Pika e tij më e dobët ishte tek gjuajtjet për 3 pikë, duke realizuar vetëm 1 nga 8 prova. Gjithsesi, Leonard e fitoi duelin me Janis Antetokumbon, i cili duket se nuk e ka ende përvojën e duhur. Greko-afrikani sërish nuk luajti keq, me 21 pikë, 11 topa në tabela, 4 asistë, 2 vjedhje topi e 3 bllokime gjuajtjesh.
Torontos iu desh sërish të bënte një reagim të madh, pasi u ndodh në -15 pikë, pra shumë pranë humbjes. Në pjesën e tretë dhe të katërt, kanadezët kthyen fatin e ndeshjes, falë edhe lojtarëve të tjerë në skuadër si Siakam (18 pikë), Louri (17) apo Vanvlit (14). Tashmë, Raptorsët do të luajnë finalen e madhe të NBA-së ndaj Golden Stejtit, me ndeshjen e parë në mëngjes herët të 31 majit në Toronto.
Sfidanti.al