Vazhdon dominimin në Konferencën e Perëndimit Denver që mundi Atlantën me rezultatin 128-108. Edhe pse Naxhets aktivizuan me pikatore Nikola Jokiç, basketbollisti serb arriti të lerë gjurmë gjithsesi, duke mbyllur ndeshjen me tre shifra dopjo për herë të 27-të në këtë sezon. Ai shënoi 14 pikë dhe 10 asist dhe kapi 18 topa në tabelë në triumfin e radhës për Denver. Nuk qëndroi pas as ylli tjetër i NBA Janis Atentokoumpo, që ndihmoi Miluokin në fitoren e shtatë radhazi, këtë herë 123-115 në dëm të Mjemit. Basketbollisti grek gjithashtu regjistroi tre shifra dopjo me 35 pikë, 15 topa në tabelë dhe 11 asist. Nuk arrin të festojë siç duhet Golden State, pasi një dëmtim i Stefën Kerri sfumoi fitoren ndaj Dallas me rezultatin 119-113. Ylli i “Uorriors” la parketin pas vetëm 26 minutave lojë, ndërsa rrezikon të qëndrojë jashtë për një periudhë relativisht të gjatë. Në ndeshjet e tjera të mbrëmjes në basketbollin amerikan, fitore siguruan Los Anxheles Klipers, Bruklin, Çikago dhe Oklahoma.
Sfidanti.al