Jokiç arrin mitin Çembërlen dhe kërcënon rekordin e Uestbrukut!

Basketbollisti nga Europa nuk është kot dy herë radhazi më i miri i sezonit të rregullt në NBA. Edhe pse nuk ka fituar dot titullin me Denverin, madje nuk ka arritur në ndonjë finale, Nikola Jokiç është një “jashtëklas” i vërtetë, një lloj Lebron Xhejmsi më i ri për vetë kompletësinë që ka loja e tij. Ylli nga Serbia realizoi tripëll dabëllin e 78-të në karrierë në basketbollin amerikan, në fitoren 122-117 të Denverit ndaj Oklahomës, duke u barazuar në këtë renditje me mitin e madh, Uilt Çembërlen. Përpara tij mbeten vetëm 5 lojtarë, ndërsa më i afërti është pikërisht Lebroni që ka 105 tripëll dabëlla. Me ritmin që ka, Jokiçi mund të kërcënojë edhe legjendat e tjera si Xhejzën Kid (107), Mexhik Xhonson (138), Oskar Robertson (181) dhe rekordmenin Rasëll Uestbuk që ka 194 tripëll dabëlla. Në fitoren ndaj Oklahomës, ballkanasi shënoi 19 pikë, kapi 16 topa në tabela e shërbeu 13 asistë.

Sfidanti.al