Jo e lehtë të thyhet rekordi i Shumit, Hamiltoni pranë dënimit të rëndë në Rusi!

Ndëshkimi për të ishte i ashpër, por kur edhe mediat britanike e pranojnë, ishte sipas rregullave. Ljuis Hamiltoni humbi mundësinë të barazonte rekordin e Mikael Shumaherit për fitoret në Formula 1, për shkak të dy dënimeve që iu dhanë për shkelje nga ana e tij gjatë nxemjes përpara Çmimit të Madh të Rusisë në Soçi. Ai u ndëshkua me dy ndëshkime nga 5 sekonda, si dhe iu hoq nga 1 pikë në patentën e tij si pilot i Formula 1. Nëse do t’i ishin hequr nga dy pikë, ai do të kishte 12 pikë dënim këtë vit, dhe kjo do të thoshte pezullim për një garë.

Hamiltoni nuk arriti më shumë sesa vendi i tretë, pra podiumi, ndërsa gara ruse u fitua nga shoku i tij i skuadrës, Valteri Botas. Në vend të dytë, Maks Verstapen i Red Bullit. Mercedesi kaloi orë shumë të vështira, pasi kampioni i botës u acarua shumë, duke akuzuar se ky dënim për të ishte një poshtërsi. Po ashtu, ai akuzoi skuadrën se përse e futi në bokse në xhiron e 13-të, për të shlyer dënimin. “Pse kaq shpejt, unë nuk mund të luftoj deri në fund e këto goma”, – protestoi ai. Sharl Lëklerk doli i 6-ti me Ferrarin, por me më shumë se 1 minutë vonesë me Botasin.

Tashmë, Hamiltoni duhet të provojë për të barazuar rekordin e 91 fitoreve të Shumaherit në Formula 1, në garën e ardhshme, në Çmimin e Madh të Ajfelit në Nyrburgring të Gjermanisë në 9 tetor.Anglezi 35-vjeçar kryeson renditjen me 205 pikë, 44 më shumë sesa Botas, ndërsa Verstapen është i treti me 128 pikë. Mercedesi kryeson bindshëm renditjen e skuadrave me 366 pikë ndaj 192 të Red Bullit.

Sfidanti.al