Spartaku e ka seriozisht për Hysajn, por a do të largohet shqiptari nga Seria A?!

Është graduar deri edhe me shiritin në krah, por mund të largohet. Elseid Hysaj është objekt i dëshirës së Spartakut të Moskës, dhe njoftimet nga Italia janë që klubi i Premier Ligës ruse ka nisur bisedimet me agjentin e shqiptarit. Mbrojtësi 26-vjeçar i Napolit mbetet në planet e trajnerit Xhenaro Gatuzo, por gjithsesi në futboll mund të ndodhë gjithçka, sepse për klubet kanë rëndësi financat dhe projektet për të ardhmen.

Sipas gazetarit Nikolo Skira, bisedimet kanë filluar dhe Spartaku i jep Hysajt një kontratë 4-vjeçare me rrogë 2.7 milionë euro në sezon, ndërsa Napolit i ofron 7 milionë euro. Besohet se napolitanët do të duan të paktën 10 milionë euro për kartonin e tij. Spartaku është një nga klubet më të njohur në Rusi, duke fituar 22 tituj kampion, përfshi edhe periudhën e ish-Bashkimit Sovjetik, si dhe 13 kupa.

Hysaj është në sezonin e tij të 7-të në Serinë a, një sukses jo i vogël duke pasur parasysh moshën, duke e filluar me Empolin e duke kaluar tek Napoli. Në total ai ka gati 200 ndeshje në elitën e futbollit italian dhe mbi 300 ndeshje në Apenine. Në kombëtaren shqiptare ai është kapiten, ka luajtur 55 ndeshje deri tani duke shënuar një gol.

Sfidanti.al