Ja edhe Serbia me Rusinë, vetëm Spanja mbron nderin e Perëndimit në Eurobasket!

Në gjysmëfinale të Europianit të basketbollit janë Serbia, Rusia dhe Sllovenia, pra ish-Jugosllavi dhe ish-Bashkim Sovjetik. Nderin e Perëndimit nuk e mbrojtën dot as Franca dhe as Italia, por si shpesh herë së fundmi, kjo detyrë e lartë i takoi Spanjës. Iberikët e vëllezërve Gasol janë të tillë që edhe mund ta fitojnë titullin, madje quhen favoritë, ndonëse rivalët janë të fortë. Sidomos rusët e serbët që mundën, përkatësisht Greqinë 74-69 dhe Italinë 83-67.

Rusia duket më në fund e plotë. Yjet e saj si Andrej Voronceviç, Dmitri e Mihail Kulagin, Nikita Kurbanov, Vitali Frixhon apo Semjon Antonov kanë fituar përvojën jetike ndërkombëtare me CSKA-në e Moskës, në nivelet më të lartë të Euroligës dhe të ligës ruse. Aleksei Shved ka përvojë nga NBA, aty ku aktualisht luan Timofei Mozgov. Trajneri Bazareviç po përpiqet të vazhdojë punën e ish-trajnerit Dejvid Blat që së bashku me yllin Andrej Kirilenko e ngriti basketbollin rus në nivelet më të larta, si kampion të Europës në 2007, medalist i bronztë olimpik në 2012 dhe medalist i bronztë europian në 2011.

Serbia, ndërkaq, nuk ka vërtet yje si dikur Divaci, Stojakoviçi, Bodiroga apo Rebraça, por gjithsesi ka një grup të shkëlqyer lojtarësh që dinë të luajnë bashkë, dhe që janë të gjithë, me përjashtim të njërit, në Europë. Maçvan, Bogdanoviç, Laziç, Marjanoviç (Detroit), Kuzmiç apo Joviç kanë moshë në përgjithësi të re dhe shtatlartësi të madhe. Trajneri i sotëm Aleksandar Gjorgjeviç ndjek traditën e trajnerëve të mëparshëm, Ivkoviç, Obradoviç, Peshiç, Vujosheviç. Serbia ka fituar mjaft të arta, por prej 15 vitesh nuk ia del.

Sfidanti.al