Debati është i madh dhe do të vazhdojë se cili nga yjet e këtij sporti është më i miri i të gjitha kohëve, ndërsa pretendentët për këtë titull janë heronjtë e sotëm, Rozher Federer, Rafael Nadal dhe Novak Gjokoviç. Dy të parët kanë nga 20 Grand Sleme, ndërsa numri 1 i botës ka 19, pra është shumë pranë. Pra, cili nga këta tenistë mund të quhet më i miri? Një koment e bën ish-trajneri i Rozher Federerit, Pol Anakone, që gjithashtu ka qenë trajner i sukseshëm edhe i ish-numrit 1 dhe ish-rekordmenit Pit Sampras.
“Gjatë dekadës së fundit më dominuesi ka qenë Novak Gjokoviç, – ka thënë amerikani 58-vjeçar, – që nga viti 2011 ai ka fituar 18 Grand Sleme, ndërsa Federeri dhe Nadali së bashku kanë fituar 14. Nole ka fituar 31 Masters 1000, ndërsa Federer e Nadal 28 së bashku, ka fituar 4 Finale ATP ndaj 1 të Federerit, ka thyer rekordin e javëve në krye të renditjes dhe shumë pak mund të maten me të tek për tek. Mendoj se është mëkat që Novaku nuk ka fituar admirimin e publikut siç e meriton, siç e kanë Federeri dhe Nadali”.
Sfidanti.al