Padyshim është një përplasje kulturash dhe një përpjekje e organizimit suprem të futbollit europian për të mbajtur një ekuilibër. UEFA mezi po pret që të përfundojë Europiani i futbollit dhe secili të bëjë çfarë të dojë në shtëpinë e tij. Bordi i saj drejtues njëkohësisht vendosi të ndalonte ngjyrosjen së jashtmi të “Alianc Arenës” së Mynihut me ngjyrat që simbolizojnë të drejtat e homoseksualëve, por nga ana tjetër nuk hapi hetim për kapitenin e Gjermanisë, Manuel Nojer, që mbajti shiritin e kapitenit me ngjyrat e lëvizjes LGBT. Jo vetëm kaq, por gjithashtu UEFA hapi hetim për sjelljen raciste të ultrasve hungarezë në ndeshjet ndaj Portugalisë e Francës. Gjithsesi, kryebashkiaku i Mynihut, Diter Rainerm e cilësoi vendimin e UEFA-s si “të turpshëm” dhe premtoi të ngrinte flamurin e LGBT-së në qendër të qytetit, pranë Bashkisë, po ashtu të ndriçonte në mënyrë artificiale me ngjyrat e ylberit fare pranë stadiumit. Një sfidë gjermane ndaj UEFA-s dhe pretendimeve të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, parlamenti i të cilit miratoi së fundmi një ligj që ndalon mësimin e edukatës homoseksuale në shkolla.
Sfidanti.al