Irving nuk duket i pakënaqur në Boston, e kuptuan Xhorxhi dhe Uestbruku!

Qyteti i famshëm amerikan pati një sukses të dyfishtë sportiv. Tifozët e Bostonit mund të ndihen fatlumë, pasi bashkë me fitoren e titullit të Superboulit nga Nju Inglënd Patriotsët, triumf arriti edhe skuadra e basketbollit. Boston Sëlltiks ia doli 134-129, në një përballje të fortë me Oklahomën, dhe vendimtar ishte Kajri Irving.

Ylli kryesor shënoi 30 pikë, kapi 4 topa në tabela, shërbeu plot 11 pasime për kosh dhe bllokoi një gjuajtje. Së fundi është diskutuar shumë për mundësinë e largimit të tij nga Bostoni, madje është thënë se ai dëshiron të bashkohet sërish me Lebron Xhejmsin. Për momentin, sidoqoftë, Irvingu thjesht po jep maksimumin për klubin më historik në NBA.

Sëlltiksat me siguri që do të bëjnë ç’mos për ta mbajtur, madje shpresojnë ta bindin duke forcuar skuadrën. Lajmet janë që do të synohet të merret ylli i Nju Orlinsit, Entoni Dejvis, edhe pse kjo mund të bëjë që të largohen disa nga yjet e rinj si Morris, Horford, Braun apo Rozier. Gjithsesi, i paprekshëm duket se është vetëm Xhejzën Tatëm.

Oklahoma luftoi fort dhe nuk ishte larg fitores, me dy lojtarët më të mirë që ishin në nivel të lartë. Pol Xhorxh shënoi 37 pikë, përfshi edhe 5 gjuajtje nga distanca. Rasëll Uestbruk arriti tripëll dabëllin e radhës, të 123-in në karrierë, me 22 pikë, 12 topa në tabela e plot 16 pasime për kosh, duke shtuar edhe 2 vjedhje topi.

Oklahoma është e treta në Konferencën Perëndimore, dhe Bostoni është po ashtu i treti në Konferencën Lindore, me 4 fitore radhazi, dhe në pozicion të mirë për plej ofin. Gjithsesi, sukseset varen nga Irvingu, dhe shpresa është që ai të mos dëmtohet.

Sfidanti.al