Drama Emiliano Sala; gjendet avioni dhe një trup i pajetë.

Ka zhvillime në historinë tragjike të zhdukjes së avionit me të cilin Emiliano Sala po udhëtonte në drejtim të Uellsit. Një zëdhënëse e Departamentit të Transportit në Britani ka konfirmuar se avioni i tipit Piper PA 46 në të vërtetë është gjetur në fund të Kanalit të La Manshit. Por jo vetëm kaq, orë më vonë u konfirmua edhe gjetja e një prej trupave që ndodheshin në bordin e avionit, por pa u specifikuar nëse ai ishte i pilotit Dejv Ibston apo i Salës.

Avioni u zhduk nga radarët në mbrëmjen e 21 janarit mbi Kanalin e La Manshit dhe prej ditësh u kërkua. Por në fund autoritetet hoqën dorë nga këto kërkime, gjë që nuk e bëri familja e futbollistit që iu drejtua një kompanie private për ta bërë këtë. Ditë më parë në brigjet franceze u gjetën pjesë të avionit që bëri rinisjen e kërkimve deri në gjetjen e këtij mjeti.

Rreth 4500 persona kontribuuan për kërkimet e avionit dhe mes tyre kishte edhe futbollistë të njohur, duke dhuruar të ardhura që në total arritën shifrën e 300 mijë Eurove. Vlen të kujtohet se Emiliano Sala në mbrëmjen e 21 janarit po udhëtonte drejt Uellsit për t’u bashkuar me skuadrën e tij të re, Kardif Siti që i pagoi Nantës 17 milionë Euro për kartonin e tij.

sfidanti.al