Suksesi në provat zyrtare të së shtunës të Ferrarit në Hungari duket se nuk ishin një rastësi. Kokëkuqja italiane të njëjtën gjë e bëri edhe në garën e zhvilluar në pistën e Hungaroringut teksa zuri dy vendet e para me Vettel dhe Raikkonen, ndërkohë që në vendin e tretë u pozicionua Bottas duke e lënë jashtë podiumit Hamilton që e shikon sërish Vettel të shkëputet prej tij në renditjen e përgjithshme. Ferrari e mbylli kështu në mënyrën më të mirë të mundshme pjesën e parë të sezonit. Ai i Hungarisë ishte një sukses që pritej me ankth nga drejtuesit e Ferrarit dhe Vettel e Raikkonen e mundësuan festën në skuadrën nga Maranello duke e kthyer garen në një paradë . Mercedes edhe se u përpoq e pati të vështirë që këtë radhë të mposhtë Kokëkuqen duke u detyruar të kënaqet me vendin e tretë dhe të katërt të Bottas dhe Hamilton. Gjërat u komplikuan shumë për Red Bull që pati telashe që në startin e garës. Verstappen përplasi shokun e tij të skuadrës Daniel Ricciardon duke e nxjerrë përfundimisht jashtë loje, ndërkohë që ai vetë u penalizua me 10 sekonda, megjithatë holandezi u rendit i 5 duke lënë pas një Fernando Alonso të shkëlqyer që me McLarenin e tij e mbylli garën në vendin e 6.
sfidanti.al