Roger Federer është eliminuar nga turne i fundit për këtë vit, ATP World Tour Finals, i cili është duke u zhvilluar në Londër.
Belgu David Goffin, i cili renditet i shtatë në botë, u rikthye nga humbja e setit të parë për të fituar në tre sete 2-6, 6-3, 6-4, duke siguruar kështu finalen e parë në karrierë në këtë turne prestigjioz, shkruan Express.
Kjo ishte fitorja e parë e Goffin në shtatë përballje kundër 19-herë kampionit të grand slameve, Federer.
“Nuk kam fjalë. Nuk mund ta përshkruaj, kaq shumë kënaqësi, kaq shumë lumturi”, ka thënë Goffin pas ndeshjes.
Goffin do të përballet në finale me Grigor Dimitrov ose me Jack Sock, të cilët luajnë sonte në gjysmëfinalen e dytë.
Federer, 36-vjeçar, ka qenë favorit i madh për të triumfuar për herë të shtatë në ATP Finals, por ai do të mungojë në finalen e së dielës pas humbjes së pestë këtë sezon.
Megjithatë, zvicerani mund të reflektojë në një vit të jashtëzakonshëm që ka pasur më 2017, pasi fitoi dy grand slama. Roger e përmbyll vitin me 52 fitore dhe vetëm pesë humbje.