Hamilton shkëlqen kur dielli është fshehur, Belgjika mbetet magjike

Rekordin e madh të Mikael Shumaherit e barazoi pikërisht në këtë Çmim të Madh. Ljuis Hamilton ia doli vjet të arrinte 68 pole positione në Formula 1, njëlloj me Shumin, ndërsa një vit më vonë arriti në shifrën 78. Vazhdon të thellojë rekordin personal të vendeve të para në prova, dhe të tregojë se sidomos është i paprekshëm në kushte reshjesh.

Në pistën e Spa-Frankorshampit, ishte kohë me diell deri pas serisë së dytë të provave, ku përpara Mercedesit të Hamiltonit ishin dy makinat Ferrari të Sebastian Fetelit dhe Kimi Raikonenit, edhe pse me diferencë të vogël (5 të qindat e sekondës).

Në pjesën e tretë të provave, pati reshje të lehta, dhe gjithçka ndryshoi. Hamilton dominoi me diferencë të madhe me Fetelin, ndërsa në vend të tretë papritur doli piloti i Fors Indias, Esteban Okon. Koha e anglezit ishte 1’58”179, ndërsa ajo e gjermanit 1’58”905. Fors India bëri përshtypje të madhe pasi zuri vendin e katërt me Sergio Perezin, ndërsa Ferrari tjetër i Raikonenit mbeti shumë prapa, në vendin e gjashtë.

Hamilton do të kërkojë këtë të diel fitoren numër 68 në karrierë, që do të vazhdonte ta afronte me rekordin e Mikael Shumaherit (91), dhe që do të ishte fitorja e tij e katërt në Çmimin e Madh të Belgjikës. Rekordin belg po ashtu e mban Shumi me 6 suksese.

Sfidanti.al