Në prag të Çmimit të Madh të Rusisë në Soçi, duket se kampioni i botës e ka parë të udhës të përdorë më shumë “armët” e tij jashtë piste. Ljuis Hamilton e kupton se lufta për titull në Formula 1 me Maks Verstapenin është shumë e fortë, më e forta e sezoneve të fundit, dhe si një pilot me përvojë ka vendosur të përdorë luftën psikologjike. “Maksi do të ndikohet nga presioni i madh, i vështirë sa më shumë afron fundi i sezonit, – tha anglezi veteran i Mercedesit, – unë e kam provuar vetë këtë gjë, kur luftoja për titullin tim të parë. Emocionet ishin të forta dhe shpesh nuk jepja më të mirën”. Gjithsesi, holandezi i Red Bullit, thotë se nuk shqetësohet nga kjo. “Ljuisi siç duket nuk më njeh mirë, – thotë Verstapeni, që kryeson Botërorin me 5 pikë më shumë sesa Hamiltoni, – po, po, jam duke u ndjerë shumë keq (qesh), qenka e tmerrshme të luftosh për titull, e urrej këtë moment”.
Sfidanti.al