Hamilton bën 95 “pole” në Muxhelo, por kontrata 44-milionëshe mbetet pa firmë!

Festa e Mercedesit vazhdoi edhe në Çmimin e Madh të Toskanës në Itali, madje “krushku i parë” ishte sërish po ai, Ljuis Hamilton. Britaniku la pas për “një fije peri” shokun e tij të skuadrës, Valteri Botas duke zënë vendin e parë në provat zyrtare. Spektakli gjermano-anglez në pistën e Muxhelos erdhi me vetëm 0.059 sekonda vonesë mes të dytit e të parit, ndërsa Maks Verstapeni i Red Bullit garoi sërish shumë mirë në prova, duke mbetur 0.365 sekonda prapa Hamiltonit. Ky ishte “pole positioni” i 95-të në karrierë për 35-vjeçarin, që 69 prej tyre i ka arritur me Mercedesin. Ai do të përpiqet që në garën e dytë italiane të arrijë fitoren e 90-të, për të qenë vetëm 1 fitore prapa rekordmenit Mikael Shumaher. Gjithsesi, nëse në pistë sukseset vazhdonë, prapa “perdeve” nuk ka “tym të bardhë”. Kontrata e Hamiltonit përfundon pas 3 muajsh, dhe anglezi ende nuk ka nxitim të firmosë të renë me vlerë 44 milionë euro në sezon.

Sfidanti.al