Botërori i këtij viti në Formula 1 nuk ka asnjë histori. Lewis Hamilton po shkon pa u shqetësuar aspak drejt titullit të 7 për pilotë që do të thotë barazim i rekordit të Michael Schumacher. Këtë të shtunë piloti britanik i Mercedes dominoi në provat zyrtare të Cmimit të Madh të Rusisë në pistën e Sochit teksa e përshkoi atë me kohën 1 minutë 31 sekonda e 34 të qintat. Këtë radhë në vendin e dytë nuk është shoku i skuadrës së Mercedes, Valtteri Bottas, por ai i Red Bull Max Verstappen me gjysmë sekondi më shumë, ndërkohë që finlandezi do të detyrohet të kënaqet me nisjen e garës nga vendi i tretë.
Ferrari bëri një tjetër paraqitje katastrofike pasi as Vettel dhe as Leclerc nuk arritën dot të kualifikoheshin për në sesionin e tretë të provave kualifikuese. Piloti gjerman u përplas pas mureve mbrojtëse në sesionin e dytë duke zbritur në vendet e fundit. Vettel e shkatërroi makinën e tij dhe në fund mori në dorë edhe telajon e [pjesës së përparme të saj që kishte mbetur në mes të pistës. Gjermani do të nisë garën nga vendi i 15, ndërsa përsa i përket Leclerc, piloti nga Monako nuk mundi të shkojë dot më shumë se vendi i 11.
Sfidanti.al