Ndeshja u nis keq, dhe në pushim të saj u shkua me deficit prej 7 pikësh. Boston Sëlltiks ishte në prag të eleminimit në gjysmëfinalen e Lindjes në plej ofin e NBA-së, por rekordmenët e titujve nuk deshën të dorëzoheshin. Me një 24 minutësh të një intensiteti tepër të lartë, ata kaluan në avantazh duke fituar duelin ndaj Majemit me shifrat bindëse 121-108. Nëse do të kishin humbur, rezultati do të kishte qenë eleminues, 1-4, ndërsa tani është 2-3 dhe luhet ende për fitore.
“Ne ishim krenarë, – tha trajneri Stivens, – detyra jonë ishte të dilnim në fushë e të konkurronim, të jepnim maksimumin. Në pjesën e dytë luajtëm shumë mirë, por duhet ta përsërisim për shkak të pozicionit në të cilin jemi”. “Bostoni luajti një pjesë të dytë të madhe, – pranoi trajneri i Majemit, Spoelstra, – e merituan atë që morën. E qartë se nuk është e lehtë të fitosh në plej of”. Xhejzën Tatëm shënoi 31 pikë për Bostonin, plus 10 tabela e 6 asistë, ndërsa Xhejlën Braun pati 28 pikë e 8 tabela. Daniel Teis shtoi 15 pikë e 13 tabela, Kemba Uolker 15 pikë, Smart 12 e Hejuord 10. Për Majemin, Goran Dragiç realizoi 23 pikë, Robinson 20, Batler 17, Krauder 14 po ashtu si Tajlër Herro.
Sfidanti.al