Formula 1, Hamilton ‘Mbret i Anglisë’, në Silverstone dominon Mercedes

Kur Hamilton është në ditën e tij më të mirë, nuk mbetet gjë tjetër vecse ta admirosh. Këtë piloti i Mercedes e tregoi në garën e shtëpisë së tij në Formula 1 në Silverstone teksa ishte dominues në pistë gjatë gjithë 51 xhirove. E vërteta është se ishte e gjithë skuadra e Mercedes që tregoi të gjithë forcën e saj, pasi përvec Hamilton që me meritë të plotë fitoi garën, një paraqitje fantastike bëri edhe Valtteri Bottas. Piloti finlandez që e nisi garën nga vendi i 9 për shkak të ndërrimit të kambios në provat zyrtare, në fund u rendit në vendin e dytë  duke bërë që skuderia gjermane të regjistrojë dopietën e dytë sezonale. Përmasat e fitores së Mercedes u amplifikuan edhe nga dita e errët e Ferrarit me problemet e shfaqura si në makinën e Vettel ashtu dhe atë të Raikkonen. Vettel iu shuan shpresat e fitores që në startin e garës duke mbetur i bllokuar pas Verstappen deri në hyrjen e parë në bokse, ndërkohë kulmi arriti vetëm në kthesat e fundit të garës kur goma e përparme iu ca duke u kthyer në bokse për të mbyllur garën i 7, një rezultat që shkaktoi dhe reduktimin e pikëve me Hamilton në renditjen e përgjithshme në vetëm 1 pikë. Në këtë pikë ngushëllimi për skuderinë nga Maranello është vendi i tretë i Raikkonen që la pas  Max Verstappen dhe Daniel Ricciardo. Për Hamilton kjo është fitorja e tij e pestë në Silverstone me britanikun që barazoi Alain Prost dhe Jim Clarke dhe e katërta sezonale. Ndërsa për Mercedes, kjo e Britanisë është e 6 e Botërorit të këtij viti.

sfidanti.al