Mejuedhër paralajmëron Mekgregorin: Llafazani numër 1 jam unë!

Deri në 26 gusht ka ende kohë dhe kjo është periudha për biznes. E thotë qartë Flojd Mejuedhër, ndërsa Konor Mekgregor ka nisur që në fillim luftën psikologjike, duke e sulmuar dhe tallur. Boksieri amerikan i peshave të mesme, dy herë i tërhequr dhe dy herë i rikthyer në ring, e shpreh hapur se përballjet në konferenca shtypi mes dy luftëtarëve janë “karrem” për të tërhequr tifozët naivë. “Unë do të kisha dëshirë të kthehesha në shtëpi dhe të bëja atë që pëlqej më shumë (boksin), por unë jam duke bërë biznes, ashtu siç po bën edhe Mekgregori”.

“Nuk ia vë veshin atyre që thotë ai, pasi kur vjen puna tek lufta psikologjike, unë kam inteligjencë më të lartë. Mekgregor mund të jetë “llafazani numër 2”, por numri 1 jam unë”, – theksoi amerikani. “As nuk e vras mendjen që thotë se do të më hedhë në raundin e katërt, – vazhdoi ai, – unë kam mjekër të fortë dhe më besoni se nuk do të jetë një ndeshje e mërzitshme”. Të dy boksierët pritet të fitojnë një sasi shumë të madhe parash, ndoshta më shumë se 100 milionë dollarë secili, me Mejuedhërin që duhet të fitojë pjesën më të madhe.

Ka një gjë ku boksieri është i zemëruar me irlandezin. “Ai tregoi mungesë respekti për gratë zezake, – tha ai, duke përmendur komentet e Mekgregorit, – i krahasoi me majmunët. Ai nuk tregoi respekt për vajzën time. Duhet të tregosh respekt që të respektohesh. Unë nuk e njoh mirë atë, por vazhdoj ta respektoj si njeri. Respektin si luftëtar ai duhet ta fitojë në ring”.

Sfidanti.al