Rozher Federeri – për herë të 8-të triumfon në Uimbëlldon

Rozher Federeri ngriti, të dielën mbasdite, për të tetën herë, shifër rekord, trofeun më prestigjioz të Uimbëlldonit, duke u bërë, kështu, pa asnjë lloj dileme dhe me bindje të plotë, tenisti më i suksesshëm në historinë e turneut të Uimbëlldonit që ka traditën më të madhe e më të spikatur në “sportin e bardhë”. Mjeshtri zviceran, me një lojë brilante, në finalen e ketij turneu, mundi, realtivisht lehtë, 3-0 (6-3, 6-1, 6-4) tenistin kroat Marin Ciliç, ndërsa fakti se Federeri 35-vjeçar nuk humbi asnjë set të vetëm në “marshimin” e tij drejt titullit të 19-të Grand Slam, tregon më së miri për formën e shkëlqyer, me të cilën ai e zhvillloi këtë turne.

Federeri nuk i fshehu lotët e gëzimit mbas suksesit të madh dhe, me emocione të mëdha, e mori kupën në duart e veta, por nuk harroiqë të vlerësonte shpirtin kurajoz të Ciliçit që e luajti deri në fund finalen, megjithëse pati dhimbje në shputën e njerës këmbë. “Tenisi dhe sporti profesionist, ndonjëherë, janë mjaft të ashpër. Marini, për mua, është një hero i vërtetë, duke qenë se duroi deri në fund, me gjithë problemin fizik. Dua që ta përshëndes atë për turneun e mrekullueshëm që ai zhvilloi dhe ai duhet të jetë krenar për mënyrën sesi luajti këtu”, tha Federeri.

Sidoqoftë, gjatë ndeshjes finale, pati një episod, kur u duk se Ciliçi iu dorëzua tensionit të lartë dhe filloi të qajë! Më parë, ky tenist kroat nuk ka shfaqur shprehje të forta të emocioneve të tij, sidomos, gjatë ndeshjeve të rëndësishme. Siç dihet, nervat e forta janë faktorë të rëndësishëm fitoreje. Por nervat e Ciliçit, kësaj here, sikurse duket, u dorëzuan. Veç ekipit të mjekëve, atij iu afruan edhe zyrtarë të turneut. Për një moment, u duk se ai do ta ndërpriste ndeshjen që do të ishte shumë keq për të, të pranishmit e shumtë dhe audiencën televizive shumëmilionshe në të gjithë botë. Për fat, Ciliçi e vazhdoi dhe e çoi ndeshjen deri në fund.

Sfidanti.al