Gara e fundit e Formula 1 që u zhvillua në Meksikë e ndezi edhe më shumë luftën për titullin kampion me favoritin Niko Rosberg, që tashmë po dridhet nga presoni dhe hendeku i zvogëluar.
Por ndalesa latine ka sjellë gjithashtu polemika dhe rivendosi vëmendjen te disa rregulla qesharake dhe komisarë më shumë se të guximshëm që rrezikojnë të vrasin entuziazmin e pilotëve dhe tifozëve.
Pikantet e çdo Çmimi të Madh janë parakalimet, duelet e shpeshherë edhe dëshira për të shkatërruar makinën për të mos bërë kompromis për renditjen, por sot duan ta ndalojnë këtë e madje edhe i ndëshkojnë ata që e provojnë. Aktualisht në Formula 1 ka një luftë deklaratash kontradiktore.
Hulkenberg mendon se Hamilton u favorizua në kthesën e parë duke mos u penalizuar, dhe rregullat u përkulën për të mos e ndëshkuar, ndërsa në kampin e Red Bull mbrojnë Verstapen. Për të shtuar më shumë benzinë në zjarr, Vettel u nxor jashtë podiumit.
Gjermani u ndëshkua pasi manovra e tij mbrojtëse me Riciardon u cilësua si drejtim i rrezikshëm, por nën akuzë janë gjithashtu dhe komisarët, të ngadaltë për vendime të cilët edhe kur merren janë të kontestueshëm.
Episode kyçe siç ndodhën në Meksikë analizohen pas shumë xhirosh dhe janë origjina e shumë problemeve pasi nëse do të ndërhynin menjëherë ndaj Verstapen, gara do kishte tjetër rrjedhë. Ai u penalizua për herë të parë këtë sezon, shumë vonë për gjithçka i është lejuar deri më sot.