Tashmë skuadrat e Formula 1 kanë hyrë në fazën më të rëndësishme të përgatitjeve për Botërorin e Formula 1. Në Barcelonë kanë filluar testet parasezonale, ndërkohë që nuk ka përfunduar prezantimi i makinave te reja nga skuadrat pjesëmarrëse të këtij botërori. Këtë të hënë i takoi Alfa Romeo Racing që të bëjë prezantimin e makinës C38 që do të vihet në dispozicion të Kimi Raikonen dhe Antonio Xhovinaci.
Makina ka ngjyrën e bardhë në pjesën e kofanos dhe të kuqe në pjesën e pasme të saj deri në pjesën ku ndodhet sistemi mbrojtës Halo. Po kështu në telajon e makinës do të jetë i shkruar emri Sauber edhe pse është hequr nga logoja zyrtare e skuderisë, Alfa Romeo Racing. Botërori i Formula 1 do të nisë pas një muaji, në 17 mars me garën e Australisë që do të zhvillohet në Melbërn.
sfidanti.al