Është Leonardi mbreti i NBA-së, Lebroni dhe Dejvisi të shqetësohen!

Ndeshja e parë e sezonit, dhe ndeshja e tij e parë në rikthim në qytetin e lindjes. Koui Leonard e veshi edhe zyrtarisht fanelën e Los Anxhelos Klipersave, madje në një rast të veçantë, në duelin ndaj Lejkërsave në “Stejpëlls Sentër”. Nuk kishte si bëhej më mirë, dhe ai e kremtoi siç duhet, me fitore dhe duke qenë lojtari më i mirë në parket. Shënoi 30 pikë, dhe Klipersat triumfuan në derbi 112-102, ndonëse përballë ishte “Mbreti i Basketbolit” Lebron Xhejms, dhe superylli Entoni Dejvis.

“Ishte diçka e shkëlqyer, – tha Leonard pas ndeshjes, – ju e kuptoni që pata shumë emocione, edhe gjatë natës, edhe para ndeshjes. Ishte shumë emocionuese të luaje në qytetin tënd të lindjes, në sërish “Stejpëlls”, dhe me familjen tënde duke të ndjekur në Arenë”. Leonard pati edhe 6 topa në tabela, 5 asistë, 2 vjedhje dhe 1 gjuajtje të bllokuar. Ai është kampion në fuqi i NBA-së, titull që e fitoi vjet me Toronton. Dejvis shënoi 25 pikë për Lejkërsat, ndërsa Lebron Xhejms 18, duke pasur edhe 9 topa në tabela e 8 asistë, por duke gjuajtur dobët nga loja.

Sfidanti.al