Entoni Xhoshua, një djalë i mbarë që jeton me nënën e tij!

Nëse lexon titujt e gazetave, të vjen të fërkosh sytë. “Një kampion i madh i boksit, jeton ende (!!!) me nënën e tij, edhe pse është 28 vjeç”! Ky është refreni i tabloidëve në Angli, me shkrime të radhitur nga gazetarë që ndoshta mendojnë se nuk kanë pasur nevojë për një nënë që të lindin dhe të rriten.

Ja pra, Entoni Xhoshua, kampioni absolut i botës në boks, në peshat e rënda, ka ende zgjedhjen për të qenë në një apartament me nënën e tij. Nuk është se boksieri anglez nuk ka shpenzuar. Ai ka nxjerrë 4 apo 5 milionë paund stërlina për një shtëpi të madhe vetëm 15 minuta nga shtëpia e tanishme, ku ka ndërmend të jetojë bashkë me njerëzit e tij të dashur. Diçka e natyrshme kur fiton 15 milionë nga dueli me Kliçkon dhe prej 10 milionë nga dueli tjetër me Takamin këtë fundjavë.

Xhoshua, gjithsesi, mbetet i thjeshtë. “Edhe nëse do të fitoja 400 milionë paund stërlina, jeta ime nuk është se do të ndryshonte shumë”, – thotë ai. Një shembull, ndonëse shembulli tjetër vjen nga Amerika ku, dikur, atëherë kur puna gjendej lehtë dhe pagat ishin më të larta, djemtë dhe vajzat largoheshin nga “foleja” prindërore pa mbushur 18 vjeç, ndërsa sot, kur gjithçka ka ndryshuar për keq (president u zgjodh Trampi, apo jo?), ka plot “fëmijë” që rrijnë me prindërit edhe kur janë mbi 30 vjeç!

Sfidanti.al