Leonard Bonuçi që u ble, këtë verë, për 40 milion euro nga Juventusi, me bluzën e Milanit duket si një lojtar i zakonshëm. Trajneri Vinçenco Montela, në fakt, ka një besim të madh te ky stoper, por ky futbollist italian i ka zhgënjyer plotësisht të gjithë dhe nuk po e justifikon aspak rolin e kapitenit që atij iu ngarkua në fillim të sezonit. Sipas medias italiane, Bonuçi deshi që ta dorëzojë shiritin e kapitenit, qysh nga humbja 2-0 me Sampdorian para disa javësh. Duke pasur parasysh edhe budallallëkun që ai bëri, këtë fundjavë, në ndeshjen me Xhenovën, kur u nxor jashtë fushës në min. e 25-të, për shkak të një goditjeje të qëllimshme të kundërshtarit dhe Milani barazoi 0-0 në “San Siro”, duket se ditët e Bonuçit si kapiten janë të numëruara.
Bonuçi jo vetëm që nuk është lider i vërtetë i ekipit, por ai duket se është edhe hallka më e dobët e tij, krahas përforcimeve të reja, Hakan Calhanoglut dhe Frank Kesit. Ka shumë mundësi që shiriti i kapitenit të Mialnit të kalojë te Xhakomo Bonaventura ose portieri Xhanluixhi Donaruma që është vetëm 18 vjeç.
Sfidanti.al