Drejtorët e Hajdukut dhe të Dinamos së Zagrebit zihen me grushta!

Një ndeshje derbi dramatike dhe eksituese u zhvillua, këtë fundjavë, ndërkohë që në një nga lozhat kryesore të stadiumit ndodhi edhe një skenë e turpshme. Kur rezultati ishte 2-2, diku nga min. e 95-të e ndeshjes, kur lojtarët e Hajdukut kërkuan nga gjyqtari  një penallti të dytë dhe në fushë u bë një rrëmujë e madhe, krerët e dy klubeve kërcyen nga vendi, duke u konfrontuar fizikisht njeri me tjetrin.

Sikurse njoftuan mediumet kroatë, Tomislav Svetina, drejtor te Dinamo, i nisi provokimet e tij, qëkur rezultati ishte 1-2, kurse pas barazimit 2-2, mbas realizimit të një penalltie, Mario Branko, drejtor te Hajduku, iu drejtua atij (Svetinës) me fjalët: “Po, tani pse nuk e hap gojën!” Në këtë moment, u përfshi edhe Matej Shkegro, drejtori financiar i Dinamos, që e kapi Brankon prej gjoksi dhe, kështu, ata filluan ta shtynin dhe të gjuanin njëri-tjetrin, ndërkohë që edhe funksionarë të tjerë të të dy klubeve u çuan në këmbë dhe filluan të ofendonin njëri-tjetrin.

Sidoqoftë, versioni i Svetinës ishte i ndryshëm. Në deklaratën mbas ndeshjes, ai tha: “Unë provokova? Pse nuk ka të drejtë njeriu që t’i gëzohet golit të ekipit të tij? Pëkundrazi, ata të Hajdukut na provokuan. Ne po festonim golin, kur mua m’u afrua fare afër Branko”, vuri në dukje Svetina. Sido që të jetë, kur në lozhë filloi rrëmuja, erdhën rojat e sigurisë së stadiumit dhe i përcollën zyrtarët e Dinamos jashtë stadiumit, duke i hipur ata në autobusin e klubit.

Sfidanti.al