Edhe Lebroni ul kokën përpara Filadelfias, lavdia e vjetër e NBA-së sundon në Lindje!

Në fillim të sezonit nuk mendohej kështu. Nuk pritej që Filadelfia të ishte skuadër lider në Konferencën Lindore dhe të sfidonte Los Anxhelos Lejkërsat për sundimin në basketbollin amerikan. Gjithsesi, pas 19 ndeshjeve të para është pikërisht kështu, dhe Filadelfia jo vetëm që është fuqi e Lindjes, por edhe është në gjendje të mundë kampionët.

Ekipet me më shumë pretendime si Miluoki, Bostoni apo Bruklini për momentin janë të detyruar ta shohin nga poshtë lart kryesuesen e Konferencës, që triumfoi 107-106 ndaj Lejkërsave, duke i shkaktuar humbjen e parë jashtë fushe këtë edicion. Skuadra e Lebron Xhejmsit kishte pasur 13 fitore radhazi larg shtëpisë, por u detyrua të ndalej.

Siksersat patën pak forca në dispozicion, por thuajse të gjithë ata që luajtën e treguan veten. Xhoel Embiid realizoi 28 pikë, Tobias Harris pati 24, Ben Sajmons 17 dhe Deni Grin 14. Milton dhe Korkmaz erdhën nga stoli duke realizuar, përkatësisht 9 e 8 pikë, ndërsa Sajmons pati një tripëll dabëll.

Lebron Xhejms shënoi 34 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, duke pasur edhe saktësi të mirë në gjuajtje, e duke mos e humbur shpesh topin. Gjithsesi, edhe ai vuajti përballë lojës agresive të vendasve, ashtu si Entoni Dejvis, që realizoi 23 pikë dhe kapi 8 topa në tabela. Lejkërsat u ndihmuan nga loja e mirë e Mark Gasolit, Denis Shrëderit dhe Aleks Karuzos, aq sa thuajse e fituan ndeshjen në fund. Sidoqoftë, edhe skuadrat e mëdha nuk ia dalin gjithmonë në NBA, aq më tepër në arenat kundërshtare.

Sfidanti.al