Donçiç dhe Novicki janë lajmet e mëdha për Dallasin!

Hodhi edhe një hap tjetër drejt shpalljes si “Debutuesi i Vitit” në NBA. Luka Donçiç ndihmoi Dallas Maveriksin që të fitonte më në fund një ndeshje, duke mposhtur Nju Orlinsin pas 6 humbjeve radhazi. “Sensacioni” slloven pati 21 pikë, 9 topa në tabela e 10 asistë në suksesin e ngushtë 122-199 ndaj ekipit të Entoni Dejvisit. Kjo do të thotë se Donçiç pati shifra më të larta sesa mesataren e sezonit, ndërsa shënoi pikët e fundit, vendimtare, me dy gjuajtje të lira.

Pritej që ai të luante mirë në sezonin e parë në NBA, por nuk mendohej se do të ishte debutuesi më i mirë, si dhe udhëheqësi i skuadrës së tij. Falë asisteve të Donçiçit, qendra DeAndre Xhordan pati 20 pikë, ndërsa kapi 12 topa në tabela.

Lajmi tjetër i madh i Dallasit, në ndeshjen ndaj Nju Orlinsit, ishte Dirk Novicki. Gjermani veteran luajti ndeshjen numër 1477 në NBA, duke u ngjitur në vendin e katërt për të gjitha kohët, mbi Karl Malounin. Ai i ka të gjitha mundësitë të kalojë edhe Xhon Stoktonin në vendin e tretë (1504 ndeshje). Dyzetvjeçari shënoi 7 pikë, ndërsa arriti fitoren e 900-të në karrierë, tashmë në vendin e gjashtë për të gjitha kohët.

Sfidanti.al