Donçiç barazon Xhordanin, por rruga drejt lavdisë është gjatë!

Nju Orlinsi, i mbetur “i ve” pa Entoni Dejvisin, nuk kishte asnjë shans. Ishte thuajse e qartë që Dallas Maveriks do të fitonte në Arenën e vet, por nuk dihej nëse Luka Donçiç do ta barazonte legjendën Majkëll Xhordan. Slloveni 20-vjeçar ia doli me ndeshjen e 18-të radhazi, me të paktën 20 pikë, 5 topa në tabela e 5 asistë. Vetëm Xhordan e kishte bërë më parë, ndërsa superyje si Rasëll Uesbruk, Lebron Xhejms apo Lerri Bërd kishin mbetur më prapa.

Donçiç shënoi 28 pikë në vetëm 26 minuta që u la në fushë, ndërsa shtoi edhe 6 topa në tabela dhe 9 asistë. Po të kishte luajtur më shumë, padyshim do të kishte statistika më të larta, por tek Dallasi mendojnë edhe për plej ofin. Skuadra nga Teksasi është kthyer në një klub “europian”, sepse aty luajnë edhe letonezi Kristaps Porzingis (13 pikë, 5 topa në tabela në 20 minuta lojë) si dhe serbi Boban Marjanoviç (15 pikë, 16 topa në tabela). Dallasi fitoi 130-84 dhe ndodhet në vendin e dytë në Perëndim me 16 fitore e 6 humbje.

Sfidanti.al