Laçi mund Flamurtarin dhe thotë: Jam edhe unë pretendent për titull!

E bëri detyrën dhe i ndenji besnik parashikimeve. Laçi triumfoi në ndeshjen e radhës në Superligë, duke mundur Flamurtarin e duke qenë tani pranë me kreun e renditjes.  Skuadra e drejtuar nga trajneri Armando Cungu ia doli 3-0 me gola të shënuar në pjesën e dytë, por me një ndeshje të sunduar nga fillimi në fund.

Fillimisht, ishte Shehu që realizoi në minutën e 48-të, ndërsa 10 minuta më pas, kurbinasit dyfishuan rezultatin pasi fituan një penallti.  E fitoi Lushkja, ndërsa topin e dërgoi në rrjetë sulmuesi Nuabueze, shënuesi më i mirë i Superligës me 13 gola.  Për herë të tretë shënoi Teko, 7 minuta para fundit.

Vendasit e dominuan përballjen, duke përfituar edhe nga dobësia e Flamurtarit, që mban vendin e fundit të renditjes dhe që nuk ka fituar asnjë ndeshje të kampionatit deri tani. Me këtë fitore, Laçi u ngjit në kuotën e 22 pikëve, vetëm tri pikë larg Partizanit të vendit të parë, duke qenë edhe ai pretendent për titull, ose të paktën për t’u kualifikuar në Ligën e Europës. Flamurtari, ndërkaq, rrezikon seriozisht rënien nga Superliga, duke pasur vetëm 5 pikë në 14 ndeshje, e duke qenë shumë larg zonës së mbijetesës.

Sfidanti.al