Bekuar Nadali që braktisi turneun e Kinës, Gjokoviçi ngjitet në fron?

Rafael Nadali bëri të ditur se ai, për shkak të një dëmtimi, nuk do të marrë pjesë në dy turnetë e fortë të ardhshëm që do të zhvillohen në Kinë, kështu që ka shumë mundësi që Novak Gjokoviçi të bëhet përsëri raketa nr.1 e botës.
Pasi Nadali e dorëzoi ndeshjen në gjysmëfinale të turneut Grand Slam US Open ndaj Huan Martin Del Potros, tenisti spanjoll bëri të ditur dje se ai do të pauzojë njëfarë kohe që të kurojë dëmtimin.
Kështu, Nadali nuk do të marrë pjesë ne turneun “China Open” të Pekinit dhe po ashtu as në turneun e mjeshtrave të Shangait. Ai planifikon që të kthehet në tetor në turneun e mjeshtrave të Parisit që do të zhvillohet në fund të tetorit.
Duke qenë se ai “do t’i kapërcejë” dy turnetë në Kinë, Nadali do të humbasë 1100 pikë, duke u hapur rrugën kështu Rozhe Federerit dhe Novak Gjokoviçit drejt kreut të listës së ATP-së (Shoqata e Tenisit Profesionist). Shansin më të madh e ka Nolja (Gjokoviçi), duke qenë se tenisti serb nuk mori pjesë vitin e kaluar në këta dy turne.
Sfidanti.al