Ajo që ndodhi në këtë pallat sporti duhet quajtur historike. Pas 66 vjetësh, Teuta shpallet kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, duke pasuar suksesin e skuadrës së futbollit. Të besuarit e trajnerit malazez, Nikola Milatoviç, triumfuan 3-1 në serinë finale ndaj rivalit durrsak, Goga Basket, pra finalja ishte një derbi i qytetit. Fitorja e fundit në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” ishte e thellë, 95-75, dhe Teuta kurorëzoi një sezon mjaft të mirë. Kapiteni Kristi Gorea madje nuk i mbajti dot lotët.
“Mbyllëm një sezon të madh dhe e kurorëzuam me sukses, – tha ai, – nuk donim të shkonim në ndeshjen e pestë. E sollëm titullin pas 66 vjetësh në Durrës, ashtu siç bëri futbolli. Ia dedikoj suksesin tifozëve që pritën 66 vjet dhe babait tim që më në fund ia doli ta merrte titullin.
Trajneri Milatoviç vlerëson suksesin, por mbetet ambicioz. “Së pari dua të falenderoj lojtarët e mi, që kanë bërë një punë shumë të madhe, – u shpreh malazezi, – Ishte një sezon shumë i vështirë, por ata treguan një basketboll shumë të mirë. Goga ishte rival i madh, por mendoj se fitorja jonë ishte e lehtë. E vërtetë që kam fituar shumë trofe, unë respektoj punën time dhe kam ambicie të mëdha edhe për sezonin e ardhshëm”.
Presidenti Arqile Gorea, ish-kryebashkiak i Durrësit, ishte ndoshta njeriu më i lumtur në sallë, ndërsa e kishte edhe një sfidë personale me drejtuesit e Goga Basketit.
Sfidanti.al