Turneu nuk ka përfunduar ende, por fituesi tashmë dihet. Anglia e mbrojti titullin në “Kupën e Gjashtë Kombeve” në regbi, një lloj kampionati europian i këtij sporti. Suksesi i thellë 62-21 ndaj Skocisë në stadiumin “Tuikenhem” të Londrës bëri që djemtë e trajnerit nga Autralia, Edi Xhons, të bëheshin të pakapshëm nga rivalët. Anglezët kanë katër fitore në katër ndeshje, pra 18 pikë, ndërsa Irlanda dhe Franca kanë nga 10 kur mbetet edhe nga një takim për t’u luajtur. Në Kupë marrin pjesë Anglia, Franca, Skocia, Irlanda, Uellsi dhe Italia.
Anglia është rekordmene e trofeve me 28 të fituar më vete dhe 10 të tjerë të ndarë me një rival, siç edhe e pranon formula e kompeticionit. Kupa e Gjashtë Kombeve është gara më e fortë e Hemisferës së Veriut, ndërsa Anglia barazoi rekordin e Zelandës së re me 18 ndeshje të fituara radhazi. Trajneri Edi Xhons kërkoi që ndaj Irlandës në Dublin të vendoset rekordi i ri. Kupa e Gjashtë Kombeve ka nisur në 1883 dhe janë zhvilluar deri tani 123 edicione
Sfidanti.al