Novak Gjokoviç ishte protagonist i njërës prej të papriturave më të mëdha të sportit, padyshim të tenisit. Numri 2 i botës u eleminua në mënyrë tronditëse nga një kundërshtar thuajse i panjohur duke i thënë “mirupafshim” Grand Slemit të Australian Openit në mënyrë krejtësisht të paparashikuar. Emri shumë i madh u mposht në pesë sete nga Denis Istomin, që vinte nga Uzbekistani i largët. “Tragjedia” e serbit u konsumua në një përballje që zgjati 4 orë e 50 minuta dhe me rezultatet e seteve, 7-6, 5-7, 2-6, 7-6 e 6-4 në favor të uzbekut. Disfata e Noles është një nga ngjarjet më të mëdha të tenisit botëror të të gjitha kohëve.
Gjashtë herë kampioni i Melburnit besohej se mund të fitonte sërish, sidomos pasi mposhti numrin 1 të botës, Andi Marrej, në përballjen e parë të sezonit këtë muaj. Gjithsesi, “dita e keqe u duk që në mëngjes”, pasi Istomin (numri 111 i botës) fitoi setin e parë pas 85 minutash rraskapitëse, dhe përballoi rikthimin e Gjokoviçit. “Habita edhe vetë veten time, – tha fituesi që ka mamanë për trajnere, – isha shumë i emocionuar dhe pata ngërçe në këmbë, por arrita fitoren më të madhe të jetës”.
A do kemi shans ta shikojmë sërish një figurë kaq të madhe sa Gjokoviç? Nuk mund të përjashtohet, por u bë shumë kohë që ish-numri 1 i botës po zhgënjen sërish e sërish. Njeriu që ka mundur Andi Marrejn në 5 nga gjashtë Grand Slemet e fundit në Australi po duket si hija e vetvetes, dhe fare mirë mund të bjerë në pesimizmin e Nadalit apo Federerit. Të tre fituesit e mëdhenj janë në aktivitet, me Federerin që ka 17 Grand Sleme, Nadalin që ka 14 dhe Gjokoviçin që i ndjek me 12. Ata do të duhet të mposhtin së pari vetveten, dhe pastaj rivalët për të fituar Çmime të tjerë të Mëdhenj.