“Të paktën ai ka mundësi tani të paguajë rojet e sigurisë”. Kjo ishte shakaja e mediave britanike me atë që përjetoi Karlos Tevez ndërsa vuri këmbën për herë të parë në Kinë, aty ku do të vazhdojë karrierën. Me mijëra tifozë e pritën argjentinasin në Aeroportin Ndërkombëtar “Pudong” të Shangait.
Sulmuesi tepër i shquar për talentin dhe karakterin e tij, do të luajë për skuadrën qytetëse, Shangai Shenhua, dhe do të paguhet me një rrogë të jashtëzakonshme prej 720 mijë eurosh në javë, që do të thotë më shumë se 35 milionë euro në sezon. Një “bingo” që vetë Tevez nuk do t’ia ketë nevojën, aq më shumë që ai kurrë nuk është dalluar si i dashuruar pas parave, si Flojd Mejuedhër.
Me këto para, sipas shakasë së mediave britanike, Tevez do të mundë të mbrojë veten nga ndjenjat e forta që kanë tifozët për të, pasi mund t’i paguajë rojet e sigurisë. Natyrisht, kjo është një batutë, veçse ish-lojtari i Boka Juniorsit (më parë i Uest Hemit, Mançester Junajtidit, Mançester Sitit dhe Juventusit) provoi menjëherë se çdo të thotë të kesh një status të tillë publik, siç e kanë pasur yjet e mëdhenj të muzikës, si Bitëllsat, Rolling Stounsat, Dorsat Dip Parpëll, apo Bob Dilan.