Ka kohë që në këtë ligë po fryn fort era nga Europa. Shpërthimi më i fundit i Luka Donçiçit ishte prova më e qartë sesi po ndryshojnë raportet në basketbollin amerikan, ndërsa ylli nga Sllovenia vendosi një rekord të madh. Donçiç u bë i pari në historinë e NBA-së që realizon një tripëll dabëll me 60 pikë të shënuara dhe të paktën 20 topa të kapur në tabela. As të tillë si Uilt Çembërlendi, Karim Abdul Xhabari, Lerri Bërdi, Majkëll Xhordani apo Lebron Xhejmsi nuk kishin mundur deri këtu. Ai u bë i dyti në histori që arrin tripëll dabëll me 60 pikë, pas Xhejms Hardenit. Paraqitja e madhe e Donçiçit ndodhi në Arenën e Dallasit, në fitoren e vështirë 126-121 ndaj Nju Jork Niksave.
Maveriksat ishin duke humbur me 9 pikë diferencë kur kishin mbetur 34 sekonda, por slloveni realizoi një mrekulli. Në sekondën e fundit, ai shënoi një gjuajtje të lirë, dhe humbi qëllimisht të dytën duke realizuar koshin e barazimit 115-115. Entuziazmi i komentatorëve televizivë ishte i kuptueshëm. Në total, 23-vjeçari pati 60 pikë, 21 topa në tabela dhe 10 asistë. Ai kaloi Dirk Novickin me rekordin e pikëve në një ndeshje për Dallasin, duke arritur tripëll dabëllin e 52-të në karrierë dhe besohet se në të ardhmen do të jetë rekordmen. Me paraqitjet e këtij sezoni, Luka Donçiç është një nga kandidatët kryesorë për çmimin e lojtarit të vitit.
Sfidanti.al