Guardiola paralajmëron “tifozin e Lidsit”, Erling Haland!

Jeta i ka dhënë mundësinë të luajë në një nga Arenat më të bukura të botës. Po ashtu, në njërin nga ekipet më elitare të planetit. Erling Halandi është sot një binom fitues me Mançester Sitin e Pep Guardiolës, por gjithsesi e kaluara do t’i dalë përpara me emocione të forta kur të zbresë në fushën e stadiumit “Eland Roud”. Jo vetëm sepse në këtë stadium historik të futbollit anglez ka luajtur 25 vjet të shkuara babai i tij, Alf Inge Halandi. Vetë Erlingu ka lindur 22 vjet më parë pikërisht në Lids, aty ku do të shkojë sot si kundërshtar për herë të parë në karrierën e tij. Nga fëmija i vogël që shkonte në stadium për të ndjekur babain, nuk ka mbetur asgjë përveç kujtimeve, ndërsa ai është rritur dalë nga dalë për t’u bërë një talent i përzgjedhur që e pëlqen e gjithë bota.

Sa do të ndikojë fakti se Halandi do të jetë në ish-shtëpinë e tij? Trajneri Pep Guardiola thotë se nuk do të jetë miqësore dhe uron që Erlingu të mos infektohet nga fjalët e bukura që po thonë kundërshtarët për të. Ndërsa, gjigandi 22-vjeçar përgatitej për sfidën e radhës në Premier Ligë, u thanë shumë gjëra lidhur me ndjenjat e tij për Junajtidin, ndonëse ai ka pohuar se ka qenë gjithmonë tifoz i Mançester Sitit. Xhoshua King, ish-lojtar i kombëtares së Norvegjisë pohon të kundërtën, që Erlingu e dashuron Lidsin. Madje, Halandi ka thënë për gazetën norvegjeze, Aftenposten se ëndrra e tij është që të fitojë titullin me Lidsin.

Të gjitha këto tashmë janë lënë pas, dhe futbollisti profesionist jeton gjithmonë me të tashmen, që për fenomenin e ri quhet Mançester Siti. Ai do të përpiqet të vazhdojë me rekordet e golave siç ka bërë këtë sezon. Në fund të fundit, shumë ditësh stërvitjeje në vetmi, kur fliste me fanelat në mungesë të shokëve të ekipit, ai do të ketë mundësi të luajë një ndeshje futbolli.

Sfidanti.al