Miluoki e tregoi sërish veten me një rival të madh, fitore në Çikago!

Ishte një provë e vërtetë dhe u përballua me sukses. Miluoki Baks tregoi se jo më kot është kampion në fuqi i basketbollit amerikan me suksesin 118-112 në fushën e Çikagos. Adetokumbo ishte sërish njeriu kryesor i ndeshjes, të cilin kundërshtarët nuk arritën ta ndalonin e ta mbanin larg koshit. Kampioni i madh pati 34 pikë si dhe 16 topa në tabela e 5 asistë, duke qenë gjithnjë e më i kompletuar në lojën e tij. Pika më e dobët e tij mbeten gjuajtjet e lira ku humbi gati gjysmën, por gjithsesi e kompensoi me energjinë dhe talentin.

Kris Midëlton ndihmoi me 22 pikë, 6 topa në tabela e 7 asistë, ndërsa Holidei shtoi 26 pikë dhe mbuloi fort yllin e vendasve, DeRozan. Ky i fundit vërtet shënoi 29 pikë, por pati sakësi vetëm 37 për qind në gjuajtje. Çikago arriti të rikthehej në lojë më shumë falë Zak Lavinit që shënoi 30 pikë, dhe Nikola Vuçeviçit që pati 19 pikë dhe 9 topa në tabela. Miluokit i mjaftoi pesëshja kryesore, pavarësisht se ishte një sfidë e vështirë në Arenën e Bullsave. Lojtarët e ardhur nga stoli shënuan vetëm 17 nga 118 pikë, por për fat kjo nuk prishi punë. Me këtë sukses, kampionët në fuqi u ngjitën në vendin e tretë në Konferencën Lindore, duke mbërritur pikërisht Çikagon, e duke qenë vetëm 3 humbje larg vendit të parë që mbahet nga Majemi.

Sfidanti.al