Zoti Haxhiu, nëse arbitri është bastard, po ata që i komandojnë

Qysh në fillim, le të bëjmë një pakt: sa herë që të jepet penallti “bastarde”,  si kjo e fundit në ndeshjen Korabi- Skënderbeu, le të kujtojmë tavolinën “masone” në  mesin e fushës së “Selman Stërmasit”,  ku arbitrat dhe kapitenët e Superligës u shtirën sikur po bënin  vaksinën e sinqeritetit. Një nga kapitenët, kur ka parë karriget që qarkonin mesin e fushës, paska lëshuar disa fjalë mbresëlënëse: “ Më mirë t’i kishim vënë karriget  rreth e rrotull pikës së bardhë të penalltisë”.  Ata që e dëgjuan, sidomos arbitrat e pranishëm,  janë habitur aq shumë me frazën, sa mund të kenë dyshuar se ky takim do të ngjasonte me një ndeshje të trukuar, ku si humbës ishin zgjedhur pikërisht ata. Ishte veçse një iluzion çasti, sepse ata janë dhe do të mbeten shpirti i tradhëtisë zyrtare,  ndërkohë që pikën e bardhë të penalltisë e kanë shndërruar ..në vrimën e zezë të futbollit. Aty po groposet pak e nga pak loja e ndershme, për të mbajtur  gjallë lojën e komanduar, atë  me rivalitetin “më të madh të viteve të fundit”, që nuk ka kornizë që e kufizon.

Edhe gafa e radhës së arbitrit Klajdi  Kola, një penallti më shumë e porositur, se sa një vepër reale në fushë, është si një kambanë për të kuptuar se ky kampionat do të luhet nën muzikën funebre të bilbilit, ku vendi i krimit do të ketë gjithnjë një gjatësi vale prej 11 metrash.  Le të thotë trajneri i Korabit, Haxhiu se “ arbitri ishte bastard” , për një ndeshje ku kampionët nuk mund të fitonin dot pa ndihëm  e “Zotit” të futbollit, atij  që shfaqet në fushë  i veshur si arbitër,  sepse akuzën më të madhe e meritojnë ata që e luajnë ndeshjen para se ta shikojë populli në stadium dhe në ekran.

Sfidanti.al