Çelsi nuk ka vetëm yjet, ja dy lojtarë-kyç për Konten!

Çelsi po shkon i sigurt drejt titullit kampion dhe trajneri Antonio Konte nuk ka vetëm yje të tillë si Kurtua, Hazar, David Luiz, Fabregas, Pedro apo Diego Kosta, që e kanë ndihmuar. Mediat britanike veçojnë edhe dy futbollistë të tjerë, të cilët nuk priteshin të shkëlqenin kaq shumë. Këta janë Mozes dhe Marko Alonso.

Mozesi, 26-vjeçar, lojtar i krahut të djathtë, nuk ia mbushi mendjen plotësisht specialistëve dhe trajnerëve, as tek Liverpuli, as tek Stouk Siti dhe as tek Uest Hemi, ku u dha huazim, përpara sesa të kthehej te klubi bazë, Çelsi. Markos Alonso, lojtar i krahut të majtë, edhe ai 26 vjeç, ishte mjaft popullor tek Sandërlendi dhe luajti po ashtu për Boltonin në Premier Ligë, edhe pse jo në nivelet që ka arritur tani. Alonso ka luajtur në Spanjë për Realin e Madridit, si dhe në Itali për Fiorentinën. “Në Serinë A ti fiton një master në mbrojtje”, – u shpreh ai kur mbërriti në Angli.

Të dy futbollistët u morën me këmbëngulje nga Konte pasi ata përshtateshin me sistemin e tij 3-4-3, që kërkonte dy lojtarë të fortë në krahë, që të përballonin detyra të vështira në mungesë të mbrojtësve të krahut. Ata nuk e zhgënjyen italianin. Kjo vihet re në mënyrën sesi ata luajnë, dhe në statistikat. Çelsi, ka fituar 84 për qind të pikëve me spanjollin dhe nigerianin në fushë (16 fitore, 2 barazime, 1 humbje) dhe vetëm 60 për qind kur mungojnë (6 fitore, 1 barazim, 3 humbje).

Sfidanti.al