Nga Federata Shqiptare e Futbollit nuk doli një përgjigje. Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve e pati të pamundur që të jepte një vendim për një nga gjyqet sportive që mund të quhet i paprecedent. Trajneri Ernest Gjoka ende nuk e di nëse do t’i marrë paratë që pretendon se Flamurtari ia ka mbajtur padrejtësisht.
Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve u mblodh sipas parashikimit, por refuzoi ta diskutonte këtë çështje. Përse? Sipas saj, ajo e ka dhënë që më parë një vendim në favor të trajnerit të tanishëm të Kukësit, për një shumë që jozyrtarisht thuhet se shkon në 40 000 euro. Veçse, Flamurtari u paraqit sërish në Federatë, këtë herë në Komisionin e Disiplinës, duke deklaruar se kishte sjellë prova të reja.
Besohet se është fjala për pretendimin e presidentit Idrizi se sipas kontratës me Bashkinë e Vlorës që kishte për kryetar Shpëtim Gjikën, Gjoka paguhej me 1 milionë lekë të vjetër në muaj, jo me aq sa pretendon. Disiplina e quajti çështjen jo në kompetencën e saj, duke e kaluar sërish në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve.
Pasi kjo e fundit refuzoi ta diskutonte për së dyti, në Federatë vendosën që të zgjedhin një trup të ri gjykues po në këtë Dhomë. Gjithçka pritet të përfundojë për 10 ditë, dhe trupi i ri gjykues ka dy opcione, ose të mbajë në fuqi vendimin e parë, ose të pranojë provat e reja dhe ta rigjykojë rastin Gjoka.