Jurgen Klopi merr përgjegjësinë: Faji  është i imi për janarin!

Trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop, thotë se ai është fajtori kryesor për formën jo të mirë të ekipit dhe mungesën e përforcimeve të reja gjatë sezonit dimëror të transferimeve. “Të kuqtë”, më 31 dhjetor, mposhtën Mançester Sitin dhe, atëkohë, u duk se Liverpuli ishte në gjendje që ta sfidonte Celsin në garën për titullin e kampionit në Premier Ligë. Por forma që linte shumë për të dëshiruar në janar dhe seria e rezultateve të dobta bënë që Liverpuli të eliminohej nga Kupa e Ligës, FA Kupa dhe të binte poshtë vendit të katërt në Premier Ligë. Kështu që, tani, në adresë të Liverpulit po vijnë kritika për pazarin e “qetë” që bëri ky klub gjatë kohës dimërore të transferimeve, duke mos marrë përforcime të reja.

Trajneri gjerman ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë, duke vënë në dukje se klubi i vuri atij në dispozicion mjetet financiare të nevojshme për të marrë futbollistë të rinj, por se atij nuk ia mbushti mendjen asnjë lojtar tjetër. “Asnjëherë, nuk duhet të fajësoni të tjerët për gabimet tuaja”, thotë ky trajner gjerman, duke shtuar se “nuk mund ta ndryshoj përgjigjen vetëm, për shkak se ne po luajmë shumë keq. Thjesht, nuk mund të them se çdo gjë do të ishte fantastike, nëse klubi do të më kishte siguruar paratë e nevojshme, pasi klubi ma krijoi mundësinë që unë të mund të bëja diçka, por ne nuk arritëm që të gjenim lojtarët që na duheshin. Ne nuk jemi të vërber, por disa futbollistë që ne i donim, ishin të padisponuar”, tha Klopi. Liverpuli, në fakt, ia kishjte vënë syrin Julian Drakslerit, por këtë futbollist gjerman e mori PSZH-ja. Julian Brandi i Bajer Leverkuzenit, gjithashtu, ishte objektiv i Liverpulit, por “farmacistët” nuk donin që të mbesnin pa një lojtar të rëndësishëm në mes të sezonit.

Sfidanti.al