Trajneri i Korabit, Gerd Haxhiu, me siguri që do të marrë një dënim nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo pasi ai sulmoi ashpër gjyqtarin e ndeshjes së ekipit të tij ndaj Skënderbeut, që përfundoi 1-0 për korçarët. Haxhiu nuk ngurroi të përdorte fjalën e rëndë “bastard” për arbitrin Klajdi Kola, pasi ai dha 11-metërshin që vendosi ndeshjen në minutën e 66-të. Kola gjykoi se lojtari i Skënderbeut, Lilaj, u pengua në zonë, por trajneri i dibranëve është i tjetër mendimi.
“Lojtarët tanë dhe unë e kemi ruajtur vazhdimisht etikën qytetare, – u shpreh Haxhiu, – unë doja t’i shikoja gjërat vetë dhe jo të besoja klubin (e Korabit), por e vërteta është që janë (gjyqtarët) bastardë. Javën e kaluar ishte Sokoli, këtë javë ky nga Vlora, që turp t’i vijë. E them me plot gojën bastard”. Më tej, trajneri vlonjat kritikoi edhe Federatën duke thënë se “nuk e di pse i bën ato takime me gjyqtarë e kapitenë, pasi kapitenët tanë kanë qenë korrektë, ndërsa gjykimi na penalizon”.
Ndeshja e javës së 20-të në “Elbasan Arena” ishte jo në nivelin e duhur, dhe sidomos zhgënjeu më shumë Skënderbeu, pasi prej kampionëve pritej më shumë sesa nga Korabi. Pjesa e parë nuk pati fare emocione, ndërsa pas pushimit kampionët krijuan disa raste, ndërsa shënuan me penallti me anë të Salihit, duke u ngjitur në kuotën e 38 pikëve, po aq sa Partizani i vendit të dytë, 4 pikë pas Kukësit kryesues.