Kun Agueros kurrë nuk ia kishte marrë mendja se do të duhej të dyshonte tek aftësitë e tij për të qenë titullar në një skuadër. Gjashtë vjet pas largimit nga Atletiko e Madridit, tabloidët britanikë “e kanë shitur përsëri” në Spanjë. Argjentinasi, i cilësuar si ndër të paktët të denjë për t’u krahasuar me klasin e Lionel Mesit, u detyrua të shikonte nga stoli (në foto) impaktin e madh të blerjes së janarit, Gabriel Zhezus. Braziliani shënoi dy gola në fitoren dramatike të Sitit ndaj Suonsit në Premier, dhe Aguero nuk ishte protagonist në të.
Kun sikur nuk po përshtatet me skemat e Guardiolës, ose ndoshta ky sezon thjesht nuk ka qenë shumë i mirë për të, dhe tani po bëhet pyetja nëse do të vendosë të kthehet në Spanjë. Nëse do të vendosë ashtu, dakord, por ku do të shkojë? Barcelona ka Suarezin, Mesin e Nejmarin, ndërsa Reali për momentin duket se kërkon Dibalën. Atletiko, ish-ekipi i tij nuk merr dot lojtarë në verë, për shkak të dënimit nga FIFA. Çfarë do të bëjë Aguero? Argjentinasi do të vendosë në fund të sezonit, por ai e ka klasin për t’u kthyer sërish protagonist tek Siti.
Sfidanti.al